1.
Shkrimtar dhe artist i cili për herë të parë skenën letrare të Kosovës futi poezinë eksperimentale i motivuar nga rrymat postmoderne, atë që më vonë u quajt poezi konkrete e ikonizuar nga shkronjat, tipografia e të cilave krijon formë. Kjo poezi u nis për herë të parë nga rrymat e artit modern si Dadaizmi dhe me pas Surrealizmi me Guillaume Apollinaire, për t’u bërë pjesë e minimalizmit. “Neurosis” i botuar në vitin 1973 nga Musa Ramadani, është një përmbledhje e poezisë konkrete e mbushur me figura prej shkronjash të cilat konotojnë shenjëzime socio-emocionale të njeriut të asaj kohe.
"Nëse për hirë të dashurisë ekziston e vërteta, atëbotë ç'duhet kjo kur njerëzit s'e njohin as dashurinë"
2.
Ai u lind më 21 Maj të vitit 1943 në Gjilan nga një familje zejtarësh të cilët kishin një furrë dhe dyqan tekstili në çarshinë e qytetit.
Më 22 dhjetor 1944, Shtabi i Forcave Shqiptare Vullnetare vendosi të sulmojë për marrjen nën kontrollë të Gjilanit nga Administrata e re e Komunistëve Jugosllavë. Në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944, forcat e vullnetarëve shqiptarë sulmuan dhe gati arritën ta kthenin kontrollën e gjithë qytetit, përveç ndërtesës së OZNA-s (Shërbimit të Sigurimit Jugosllav) dhe të Këshillit Popullor të Rrethit. Forcat serbo-maqedonase në shenjë hakmarrjeje për sulmin e forcave vullnetare shqiptare mbi Gjilanin, filluan vrasjet masive. Fillimisht rrëmbyen me përdorimin e forcës pa dallim qytetarë të Gjilanit, i nxorrën nga shtëpitë, dyqanet, rrugët, i morën dhe i mbyllën në ndërtesën e vjetër të burgut të qytetit.
Familja e Musa Ramdanit braktisi shtëpinë me një autobus me 16 të plagosur drejt Prizrenit, në të cilin qytet e kaloi fëmijërinë e hershme dhe e kreu klasën e dytë fillore.
Me t’i vdekur babai, familja u kthye përsëri në vendlindje. Aty mbaroi shkollimin e mesëm. Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega: Gjuhë dhe letërsi Shqipe) e mbaroi në Prizren.
Në fund të vitit 1965 filloi veprimtarinë e tij si gazetar. Ishte korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja” dhe pastaj redaktor i përgjithshëm i Kulturs në gazetën Rilindja.
3.
Veprimtaria
Tekstin e parë letrar e botoi në revistën letrare “Jeta e Re” me 1963 përderisa ka përkthyer një numër të madh të veprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe.
Ai është gjithashtu autor i disa këngëve të Akordeve të Kosovës si “Baladë mbi dashurinë”, “Vullnetari i Spanjës”, “Ramiz O Vëlla” etj.
U laureua me çmimin “Beqir Musliu” ne vitin 2006 , çmimin për Vepër Jetësore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës në vitin 2012 dhe çmimin Kadare, për romanin “Profeti nga Praga” në vitin 2017, Tiranë.
Veprat:
- Mëkatet e Adamit (poezi), 1969, Rilindja , Prishtinë
- Thirravaje (poezi), 1971, Rilindja , Prishtinë
- Neurosis (poezi), 1973, Botim i autorit , Prishtinë
- Romani pa kornizë (poezi), 1975, Bota e Re, Prishtinë
- Muzat nuk flenë (poezi), 1976, Rilindja, Prishtinë
- Fluroma (tregime), 1978, Rilindja, Prishtinë
- Zezona (roman), 1978, Rilindja, Prishtinë
- Fjala në skenë (kritika teatrore), 1980, Rilindja, Prishtinë
- Alfabeti i Neurozave (poezi), 1982, Flaka e Vëllazërimit, Shkup
- Ligatina (roman), 1983, Rilindja, Prishtinë, Botimi i dytë 1989, Rilindja, botimi i tretë 1990 Naim Frashëri, Tiranë
- Moisiu në Unazën e Inflandit (dramë), 1984, Rilindja
- Eugjenika e tri deteve (poezi), 1986, Rilindja, Prishtinë
- Satana ma vodhi gurin e urtisë (tregime), 1987, Rilindja, Prishtinë
- Arkeologjia e një dashurie (roman) , 1990, gazeta Rilindja
- Nostalgji antike (përzgjedhje e poezive) , “Rilindja, 1995;
- Vrapuesja e Prizrenit (roman), Dukagjini, 1997;
- Antiprocesioni (roman), Buzuku, 1997;
- Inamor: 55 (roman), Buzuku, 2000.
- Mëkatet e Ha(E)vës, poezi, Pen/club, 2007, Prishtinë
- Premiera shqiptare (Recensione për dramën, shfaqjet), Spektri, Shkup 1996;
- Profeti nga Praga (roman), Tiranë, 2017.