Historiku i Musa Ramadani

1.

Shkrimtar dhe artist i cili për herë të parë skenën letrare të Kosovës futi poezinë eksperimentale i motivuar nga rrymat postmoderne, atë që më vonë u quajt poezi konkrete e ikonizuar nga shkronjat, tipografia e të cilave krijon formë. Kjo poezi u nis për herë të parë nga rrymat e artit modern si Dadaizmi dhe me pas Surrealizmi me Guillaume Apollinaire, për t’u bërë pjesë e minimalizmit.  “Neurosis” i botuar në vitin 1973 nga Musa Ramadani, është një përmbledhje e poezisë konkrete e mbushur me figura prej shkronjash të cilat konotojnë shenjëzime socio-emocionale të njeriut të asaj kohe. 

Ky libër është vetëbotuar nga autori sepse nuk është pranuar për botim nga redaksia e atëhershme e botimeve Rilindja.

"Nëse për hirë të dashurisë ekziston e vërteta, atëbotë ç'duhet kjo kur njerëzit s'e njohin as dashurinë"

2.

Ai u lind më 21 Maj të vitit 1943 në Gjilan  nga një familje zejtarësh të cilët kishin një furrë dhe dyqan tekstili në çarshinë e qytetit.

Më 22 dhjetor 1944, Shtabi i Forcave Shqiptare Vullnetare vendosi të sulmojë për marrjen nën kontrollë të Gjilanit nga Administrata e re e Komunistëve Jugosllavë. Në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944, forcat e vullnetarëve shqiptarë sulmuan dhe gati arritën ta kthenin kontrollën e gjithë qytetit, përveç ndërtesës së OZNA-s (Shërbimit të Sigurimit Jugosllav) dhe të Këshillit Popullor të Rrethit. Forcat serbo-maqedonase në shenjë hakmarrjeje për sulmin e forcave vullnetare shqiptare mbi Gjilanin, filluan vrasjet masive. Fillimisht rrëmbyen me përdorimin e forcës pa dallim qytetarë të Gjilanit, i nxorrën nga shtëpitë, dyqanet, rrugët, i morën dhe i mbyllën në ndërtesën e vjetër të burgut të qytetit.

Familja e Musa Ramdanit  braktisi shtëpinë me një autobus me 16 të plagosur drejt Prizrenit, në të cilin qytet e kaloi fëmijërinë e hershme dhe e kreu klasën e dytë fillore. 

Me t’i vdekur babai, familja u kthye përsëri në vendlindje. Aty mbaroi shkollimin e mesëm. Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega: Gjuhë dhe letërsi Shqipe) e mbaroi në Prizren.

Në fund të vitit 1965 filloi veprimtarinë e tij si gazetar. Ishte korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja” dhe pastaj redaktor i përgjithshëm i Kulturs në gazetën Rilindja.

3.

Veprimtaria

Tekstin e parë letrar e botoi në revistën letrare “Jeta e Re” me 1963 përderisa ka përkthyer një numër të madh të veprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe.

Ai është gjithashtu autor i disa këngëve të Akordeve të Kosovës si “Baladë mbi dashurinë”, “Vullnetari i Spanjës”, “Ramiz O Vëlla” etj.

U laureua me çmimin “Beqir Musliu” ne vitin 2006 , çmimin për Vepër Jetësore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës në vitin 2012 dhe çmimin Kadare, për romanin “Profeti nga Praga” në vitin 2017, Tiranë.


Veprat:

-          Mëkatet e Adamit  (poezi), 1969,  Rilindja ,  Prishtinë

-          Thirravaje (poezi), 1971, Rilindja , Prishtinë

-          Neurosis (poezi), 1973, Botim i autorit , Prishtinë

-          Romani pa kornizë (poezi), 1975, Bota e Re, Prishtinë  

-          Muzat nuk flenë (poezi), 1976, Rilindja, Prishtinë

-          Fluroma (tregime), 1978, Rilindja, Prishtinë

-          Zezona (roman), 1978, Rilindja, Prishtinë

-          Fjala në skenë (kritika teatrore), 1980, Rilindja, Prishtinë

-          Alfabeti i Neurozave (poezi), 1982, Flaka e Vëllazërimit, Shkup

-          Ligatina (roman), 1983, Rilindja, Prishtinë, Botimi i dytë 1989, Rilindja, botimi i tretë 1990 Naim                       Frashëri, Tiranë

-          Moisiu në Unazën e Inflandit (dramë), 1984,  Rilindja

-          Eugjenika e tri deteve (poezi), 1986, Rilindja, Prishtinë

-          Satana ma vodhi gurin e urtisë (tregime), 1987, Rilindja, Prishtinë

-          Arkeologjia e një dashurie (roman) , 1990, gazeta Rilindja

-          Nostalgji antike (përzgjedhje e poezive) , “Rilindja, 1995;

-          Vrapuesja e Prizrenit (roman), Dukagjini, 1997;

-          Antiprocesioni (roman), Buzuku, 1997;

-          Inamor: 55 (roman), Buzuku, 2000.

-           Mëkatet e Ha(E)vës, poezi, Pen/club, 2007, Prishtinë

-          Premiera shqiptare (Recensione për dramën, shfaqjet), Spektri, Shkup 1996;

-          Profeti nga Praga (roman), Tiranë, 2017.