Ky nuk është arkivi zyrtar i Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Arkivi i kësaj Ndërmrrjeje me gjithë hallkat e veta dikur funksionale, nuk është trashëguar në ditët tona. Ky material është mbledhur me shumë kujdes mes hirit e pluhurit të gjithçkaje që deri më tani është konsideruar e papërdorshme, e humbur prej “Rilindjes”, por që është prodhuar nga vetë ajo, nga gazetarët që ka prodhuar, shkrimtarët që ka botuar, redaktorët dhe fotografët.
Ky është një arkiv edhe i periudhës së mbas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, i gjërave që edhe ndoshta nuk janë mbuluar nga vetë Rilindja, sepse ajo kishte kriteret e saja politike, por kanë ekzistuar, gjëra që ndoshta mund të jenë fshehur diku, pa dashje, por tani, mund të flasin shume.
Përparësi e këtij arkivi është Redaksia e Botimeve të Rilindjes, që në një formë edhe e ka jetësuar komunitetin e shkrimtarëve të Kosovës së periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos pas hapjes së revistës letrare Jeta e Re duke e nxitur krijimtarinë lertare, kritikën, përkthimin dhe ndërkomunikimin letrar.
Ky arkiv nuk ka karakter vlerësimi, të asnjë periudhe historike dhe materialet arkivore brenda tij nuk janë vendosur sipas një kriteri vlerësues, ato janë vendosur sipas një linie kohore historike dhe kanë për qëllim vetëm dokumentimin në zë, figurë dhe tekst të materialeve të gjetura të periudhës 1945-1999, pa i rikontekstualizuar ato.
Materialet arkivore janë nxjerrë si rezultat i një hulumtimi shkencor historik e gjurmimi nëpër arkiva zyrtare dhe nëpër arkiva personale të vetë shkrimtarëve a gazetarëve ose trashëgimtarëve të tyre.
Ky arkiv nuk e ka Rilindjen qëllim më vete, as shkrimtarët e Kosovës së periudhës 1945-1999 por, duke marrë parasysh që Rilindja ishte organizatë e përbërë me një rrjet të madh botimesh, regjistrimesh fotografike, artikujsh, përkthimesh, ilustrime, dokumentimi i saj së bashku me shkrimtarët e saj, duke u zgjeruar edhe në dorëshkrimet, fotografitë personale, letërkëmbimet - janë pasqyrimi më i mirë muzeal i historisë së Kosovës së periudhës 1945-1999.
Projektimi muzeal i këtij arkivi, dokumenton:
- jetën sociale përmes: fototekës dhe veçanërisht fotografive personale.
-Jetën intelektuale përmes: videotekës, intervistave, dorëshkrimeve.
-Jetën politike përmes: vetë veprimtarisë së shkruar dhe fotografive zyrtare të revistave dhe gazetave, rrjedhës historike të shtypit dhe dokumentimit të tij përmes historisë orale.
Filozofia dhe psikologjia kolektive e një populli, komuniteti a një kulture, mund të shihet mbase vetëm pasi të jetë kthyer koka pas, jo duke i lexuar faqet e një gazete si Rilindja, por duke e dokumentuar atë që ndoshta humbiste mes rreshtash pa pasur mundësi të shkruhej në gazetë mirëpo që shkrepej paqëllimshëm në sytë e fotografuar të njerëzve, letrat që këmbenin dhe menyra sesi e shkruanin letërsinë. Letërsia është dokumentimi më besnik i një shoqërie edhe kur është e tëra hermetike siç ka qenë ajo e kësaj periudhe të gazetës Rilindja në Kosovë.
Për ta ruajtur dhe festuar sa më shumë kontributin e trashëgimisë kulturore-shpirtërore dhe për ta vënë një bazament të fuqishëm të atij komuniteti jo vetëm letrar por edhe aktivistë të dijes e shkrimit do të shfaqim në kontinuitet materiale të gjetura të shtypit dhe zhvillimit të shtypit, botës letrare, fotografisë dhe stilit të jetesës përmes shkrimit të periudhës 1945-1999. Kështu do të kishim një pasqyrë më reale të trashëgimisë kulturore, shkrimit dhe vetë historisë në Kosovë dhe rajoneve tjera të Ballkanit.
Kjo shpërfaqje, është proces dhe kërkon angazhim, kohë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët që posedojnë informacion ose edhe material që do të shërbente për plotësimin e materialit dokumentues.
Materialet që shihni në këtë platformë, janë materiale në plotësim e sipër. Kontribuesit e shtypit do të identifikohen me kohën. Ju mund të kontribuoni në plotësimin e tyre duke dhënë informacione shtesë ose duke ndarë përvojat ose materialet tuaja.
Materialet së shpejti do të jenë të qasshme edhe në gjuhët e tjera.
Ervina Halili
Arkivi Rilindja
1945-1999