1.
1945, 12 shkurt, doli numri i parë i gazetës Rilindja;
Së bashku me Rilindjen del edhe Jedinstvo në gjuhen serbokroate;Të dyja këto si organe të Frontit Nacionalçlirimtar.
Rilindja doli vetëm në katër faqe, e gdhendur manualisht me shkronja plumbi.
Autorët e artikujve të numrit të parë i cili u punua për 72 orë në mungesë të madhe të shkronjave në gjuhën shqipe, ishin edhe bashkëpuntorët e fletores Lirija- Slloboda – fletore ilegale partizane e shtabit operativ për "Kosmet". Kryeartikullin e këtij numri e shkroi Fadil Hoxha – Komandant i shtabit operativ të "Kosmetit".
Numri i parë u shtyp në rrugën Juro Jakšić, numër 17, në Prizren dhe doli një herë në jave deri në vitin 1948.
1946, 23 janar, Rilindja nisë ndërmarrjen e aksioneve kundër analfabetizmit, hapjen e kurseve dhe përhapjen e fushatave kundër mosshkollimit të gruas.
1947, 29 maj, Botohet raporti i gjerë i tubimit të hoxhallarëve dhe shehlerëve të Kosovës të cilët pas rezolutës për zhvillimin e “gruas mulsimane shqiptare“ bëjnë thirrje për përkrahjen e aksionit të heqjes së ferexhesë.
1948, Fillon punën Teatri Popullor Krahinor me gjithsej 20 punëtorë .
1948, Hapet kursi i parë grafik në Kosovë, pranë shtypshkronjës Progres.
1948, Gazeta del dy herë në jave
1949, 17 korrik, Del numri i parë i revistës letrare “Jeta e Re”, e drejtuar nga Esad Mekuli.
1949, Kursi i parë i gzetarisë i organizuar nga Gazeta Rilindja. Ai mbahet në Graqanicë.
1950, Formohet Teatri i Kukullave në Prishtinë,
1950, U formua shtëpia botuese Mustafa Bakija e cila fillimisht merrej me përkthimin e veprave të huaja.
1953, botohen librat e parë autorial për fëmijë “Gjethet e Reja”- Rexhep Hoxha, dhe Përrallat e gjyshit- Mark Krasniqi
1955, Botohet përmbledhja me poezi “Për ty” nga Esad Mekuli; Romani i parë “Rrushi ka nisë me u pjekë”, Sinan Hsani.
1956. Shtëpia botuese “Mustafa Bakija”, integrohet në shtëpinë botuese “Miladin Popovic”.
1956, Shtëpia botuese “Miladin Popovic” merr emrin Shtepia Botuese Rilindja. Gjatë historisë së saj ajo njeh këta kryeredaktorë:
Stathi Kostari, Mehmet Gjevori, Ali Rexha, Ramiz Kelmendi, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj dhe Nazmi Rrahmani.
1958, Gazeta Rilindja zhvendoset në Prishtinë në ndërtesën e burgut të qarkut. Ajo del si gazetë e përditshme, përveç të premteve. Drejtor i Rilindjes së përditshme në Prishtinë ishte Ymer Pula dhe kryeredaktor, Asllan Fazliu.
1970, 16 shkurt, “Universiteti, themelet e të cilit po i vejmë sot, do të jetë njëkohësisht qendër ku do të edukohen breznitë e reja në frymën e rezultateve të shkencës, bashkëkohësisë” Rilindja
1971, Projektohet Pallati i Shtypit Rilindja nga arkitekti maqedonas Georgi Konstantinovski.
I projektuar me detaje specifike të ventilimit të ajrit të cilat së jashtmi përceptohen si detaje të fasadës trekëndore të pallatit, maketë e huazuar nga arkitetkti amerikan Paul Rudolph. Objekti ka 18 kate dhe sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë.
1971, 14 prill “ Prej sot Rilindja ka telefoton e vet. Kësisoji gazeta është në gjendje t’u sjell lexuesëve fotografi të ndryshme për ngjarjet aktuale të ditës në vend dhe në botë.” Rilindja
1973, Rilindja nxjerr edhe një numër revistash me profile të ndryshme si: Fjala; Shkëndija; Kosovarja; Bat
1978, Redaksia e Rilindjes vendoset në objektin e ri të pallatit të shtypit.
1979, OTHPB (organizata themelore e punës së përbashkuar) ka gjithsej këto organizata:
1. OTHPB e Redaksia Rilindja
2. OTHPB e Revistave
3. OTHPB e Zërit të Rinisë
4. OTHPB e Redaksisë së Botimeve
5. OTHPB Shtypshkronja
6. OTHPB e tregtisë me shumicë, pakicë, eksport, import,
7. Shitja dhe propaganda ekonomike
2.
1980, 4 maj, shpallet lajmi për vdekjen e Josip Broz Titos; President i Jugosllavisë nga 1953-1980
1981, 11 mars, shpërthejnë protestat e studentëve në Prishtinë të cilat brenda pak ditësh masivizohen në demonstrata gjithpopullore. Vriten 9 demonstrues.
Kërkesa kryesore e këtyre demonstratave është Kosova Republikë.
1986, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë harton një memorandum ku thuhet “Organizimi i Jugosllavisë duhet të jetë Unitarist”
1987, Slobodan Milošević zgjidhet kryetar i lidhjes Komuniste të Serbisë. Ai viziton Kosovën dhe mban një fjalim përpara qytetarëvë serbë të tubuar në Fushë Kosovë. Marëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve acarohen.
1988, Shqiptarët protestonjë kundër ndërrimit, nga ana e Serbisë të udhëheqësve komunistë nga Kosova, Azem Vllasit e Kaqusha Jasharit.
1989, Minatorët e xeherorës të stan tërgut në përbërje të kombinatit Trepça ngujohen në horizontin e tetë dhe të nëntë të zgafellës për të protestuar kundër rënies së autonomisë së Kosovës.
1989, 28 mars, Serbia shpalli amandamentet për suprimimin e mëvetësisë së krahinave të atëhershme, (Kosovë dhe Vojvodinë)
1990, 2 korrik, Delegatët shqiptarë, jashtë Kuvendit shpallën Deklaratën Kushtetuese për status të Kosovës Republikë në kuadër të Ish-jugosllavisë.
1990, 2, korrik, ”Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”; “Populli vendosë në Kuvendin e vet” ; “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit” Rilindja
1990, 5 korrik, u publikua vendimi për suprimimin e Kuvendit të Kosovës, me këtë rast, shërbimet administrative u shpërndanë me dhunë dhe u dëbuan nga puna drejtuesit dhe punëtorët e administratës shetëtërore të Kosovës në të gjitha nivelet e pushtetit.
1990, 8 gusht, u ndalua botimi i gazetës Rilindja pasiqë punëtorët kishin kundërshtuar masat e dhunshme të datës 5 korrik 1990 të cilat kërkonin shpalljen e gazetës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë” - Nazmi Misini ishte kryeredaktor i Rilindjes.
1991, 18 janar, Rilindja del nën maskimin e emrit të revistës bujqësore BUJKU. Ajo vazhdon të botohet si gazetë e përditshme. Kryeredaktor i parë-themelues i gazetës ishte Behlul Jashari. Gazeta vazhdoi veprimtarinë e saj në Zvicër dhe në Tiranë me emrin Rilindja, në Kosovë me emrin Bujku.
Gazeta Bujku doli deri më 30 dhjetor 1998.
1999, 12 qershor, Ekipi i Rilindjes së bashku me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me hyrjen e trupave të NATO-s. Të nesërmen u shpërndanë në Prishtinë dhe në zona të tjera. Gazeta numër special u botua në Shkup prej ku u soll nga korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
1999, UNMIK-u, në bazë të rregullores 1999/1, nenit 6 - administron pasurinë e tundshme dhe të patundshme, duke përfshirë financat, llogaritë bankare dhe format e tjera të pronës të regjistruara në emër të Republikës Federative të Jugosllavisë, të Republikës së Serbisë apo të cilitdo organ të saj, të cilat gjenden në teritorin e Kosovës.
2002, UNMIK- duke u bazuar ne Rezolutën 1244, ka nxjerrë rregullorën 2002/12 sipas së cilës ka themeluar Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit, me mision parësor dhe të vetëm, administrimin, ruajtjen dhe privatizimin e pronës shoqërore, me ç’rast Ndërmarrja e Përbërë Rilindja hyri nën administrimin e AKM sipas kësaj rregulloreje.
2008, 21 Maj, AKP ( Agjencioni Kosovar i Privatizimit) - formohet në bazë të ligjit nr 03/L-067 me të njejtin mision që ka pasur edhe AKM.
2014. 14 korrik, Ndërmarrja Grafike Rilindja hyn në proces likuidimi me vendim të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
2017, 14 mars, Ndërmarrja Shoqërore Rilindja – GAZETA, hyn në proces likuidimi me vendim të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit bazuar në ligjin 04/L-034.