1.
Poet i lirikes politike i cili e tematizoi Kosovën në poezitë e thirrjes brenda diskursit emocional duke e shndërruar emrin e saj në identitet shpirtëror historik. Libri i tij i parë “Thirrje” u botua nga revista letrare "Jeta e Re" në vitin 1961, ai u përkthye në gjuhën serbokroate nga Esat Mekuli për t'u botuar në vitin 1968.
“…Merre me mend - pesë shekuj kam hëngër veten dhe s’kam ditur të qesh me veten e tepruar; Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet”
2.
U lind më 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Kosovës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshm “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976, në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, udhëhoqi bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Ishte anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar.
Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.
3.
Poezinë e parë “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë Thirrje. Në përkthim të poetit Esat Mekuli u botua, me plotësime, edhe në gjuhën serbokroate (1968). Përmbledhja Thirrje në vitin 1971 u bë kartuç në Tiranë, për shkak të disa poezive “hermetike”. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet më pas.
Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me çmimin letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë.
Vdiq më 21.07.2012 në Lodève të Francës ku merrte pjesë në festivalin e poezisë Voix de la Méditerranée.
Veprat:
- Thirrje, poezi, Jeta e Re, Prishtinë,1961 ; Naim Frashëri, Tiranë, 1972, zgjodhi Pandeli Koçi. Botimi i parë i këtij libri u bë karton.
- Loja nën diell, tregime, Jeta e re, Prishtinë, 1967.
- Dhimbë e bukur, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1967.
- Sampo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1969; Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1980.
- Hija e tokës, Bota e Re, Prishtinë, 1971
- Torzo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1971; Botimi i dytë, pasthënia Ibrahim Rugova, 1979.
- Folja, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1973.
- Credo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1976.
- Poezi, lektyrë shkollore, Prishtinë, 1978, 1985.
- Lum-lumi, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1982,1986,1990; Toena, Tiranë, 2003, botimi IV dhe V, parathënia dr. B. Kuçuku; Rozafa, Prishtinë, 2003 ; Libri Shkollor, Prishtinë, 2012.
- Fundi i gëzuar, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1988.
- Zari, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1990.
- Në bisht të sorrës, poezi, Art-Pena, Prishtinë, 1994.
- Ishulli Albania, Rilindja, Prishtinë, 1998; poezi e zgjedhur, parathënia Visar Zhiti, Onufri, 2004 ; botimi plotësuar, AIKID, Prishtinë, 2006.
- Burgu i hapur, Rilindja, Prishtinë, 1998.